
Pse Evropa po e kritikon Kosovën për vendimin për të hapur ambasadë në Izrael?
Bashkimit Evropian s’i ka pëlqyer aspak zyrtarizimi i vendimit të Kosovës për ta hapur ambasadën e saj në Jerusalem, pas njohjes së ndërsjellë me Izraelin.
Ndërkohë këtë e ka mbështetur administrata e presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden.
Kosova është zotuar ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa të hënën u bë hapi i parë drejt këtij qëllimi, teksa Prishtina zyrtare i vendosi zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në një ceremoni virtuale.
Njohja erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, që ishte ndërmjetësuar nga administrata e Donald Trump në shtator të vitit të kaluar.
Marrëveshja përfshinte gjithashtu dakordimin për njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit si dhe zotimin që Kosova dhe Serbia t’i vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem.
Në dhjetor të vitit 2017, ish-presidenti amerikan, Donald Trump e bëri të ditur vendimin për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, për ta përmbushur një premtim elektoral.

Vendimi është kritikuar në të gjithë botën, teksa konsensusi i shumicës ndërkombëtare, me theks ai i shteteve të fuqishme të Evropës, qëndron në atë që statusi i Jerusalemit të zgjidhet në negociatat mes Izraelit dhe Palestinës.
Bashkimi Evropian shprehu keqardhje të martën për zyrtarizimin e vendimit të Kosovës për ta hapur ambasadën në Jeruzalem, duke thënë se ky akt ia “devijon” vendit të vogël të Ballkanit rrugën drejt BE-së.
“Ky vendim po e devijon Kosovën nga pozicioni i BE-së ndaj Jerusalemit”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke theksuar se të gjitha ambasadat e vendeve të BE-së në Izrael, si dhe delegacioni i BE-së, janë të vendosura në Tel Aviv.
Stano shtoi se statusi përfundimtar i Jerusalemit duhet të gjendet përmes negociatave midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Në shtator të vitit të kaluar, kur Kosova u zotua në Shtëpinë e Bardhë për ta hapur ambasadën e saj në Jerusalem, duke e njohur këtë vend si kryeqytet të Izrealit, disa analistë shprehën habi që “autoritetet e Kosovës po ndjekin politikat e Trumpit në Lindjen e Mesme”, të cilat – thonin ata – se do të rishikoheshin nën administratën e re të Joe Biden.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla tha se për zyrtarizimin e njohjes së ndërsjellë, Kosova ka marrë mbështetje nga Sekretari i ri i Shtetit në SHBA, Antony Blinken.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, përshëndeti marrëdhëniet e reja të ndërmjet Kosovës dhe Izrealit, duke shkruar: “Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë më tej paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Lindjen e Mesme”.
Gjatë ceremonisë të së hënës, ministri i Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi tha se lidhjet e reja janë “historike” për ta dhe se “pasqyrojnë një ndryshim në rajon”. Ceremonia përfshiu zbulimin e një pllake që do të vendoset në hyrje të ambasadës së Kosovës në Jeruzalem me rastin e hapjes, në të cilën shkruante “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.
Ashkenazi tha se ka marrë një kërkesë zyrtare nga Kosova për ta ngritur ambasadën në Jerusalem, e cila zyrtarët izraelitë shpresojnë të hapet deri në fund të marsit.
Statusi i Jerusalemit është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës.
Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe vendet arabe ishin alarmuar nga vendimi i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ta zhvendosur Ambasadën amerikane në Jeruzalem.
Franca refuzoi vendimin të cilin e kishte quajtur “të njëanshëm” ndërsa bëri thirrje për qetësi në rajon. Britania e bëri të njëjtën. Gjermania tha se statusi i Jerusalemit mund të zgjidhet vetëm në bazë të një zgjidhjeje midis dy shteteve.
Vendimi i Trump la prapa paralajmërimet nga e gjithë bota se ky akt do të rrezikonte përkeqësimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Statusi i Jerusalemit është shtëpia e vendeve të shenjta për besimet myslimane, hebraike dhe të krishtera. Palestinezët pretendojnë Jerualemin Lindor për kryeqytet, ndërsa Izraeli e konsideron Jerusalemin kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm, që daton nga antikiteti.
Duke ngritur ambasadën e saj në Jeruzalem, duke ndjekur shembullin e SHBA-së dhe Guatemalës, Kosova do të bëhej një nga tri vendet e vetme me ambasada në këtë qytet. Për më tepër, ai do të bëhej vendi i parë evropian që ndërmerr këtë hap, që megjithatë, duket se e ka edhe mbështetjen e plotë të administratës së re të Joe Biden.
Për mbi shtatëdhjetë vjet, bashkësia ndërkombëtare ka qëndruar e bashkuar pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (Nëntor 1947) e cila bëri thirrje që Jerusalemi ‘të vendoset si një korpus separatum nën një regjim të veçantë ndërkombëtar… të administruar nga Kombet e Bashkuara’. Ndërsa ideja e një qyteti të ndërkombëtarizuar nën kujdesin e OKB-së është zhdukur nga agjenda e negociatave, shumica dërrmuese e vendeve anëtare të OKB-së ende janë të përmbajtur nga njohja e sovranitetit të cilësdo palë mbi Jerusalemin.