Milan po e shet “dështimin” te skuadra milionere

23:05 | 30 Prill 2022

AC Milan, do të marrë një pjesë të tarifës së transferimit nëse Lucas Paqueta përfundon t’i bashkohet Newcastle United.

Lucas Paqueta është një nga zhgënjimet më të mëdha të AC Milan në vitet e fundit. Mesfushori brazilian iu bashkua kuqezinjve nga Flamengo në vitin 2019 për një tarifë prej 38.4 milionë euro.

Mesfushori i talentuar nuk arriti t’i përmbushte pritjet në San Siro dhe u largua nga klubi pas dy sezonesh duke shënuar vetëm një gol në 44 paraqitje, përcjell ORAinfo.

Lucas Paqueta ishte në gjendje të ringjallte karrierën e tij në Lyon duke u bërë një nga lojtarët më të mirë në Ligue 1. Tarifa prej 20 milionë eurosh që Lyon pagoi për të marrë shërbimet e tij tani duket si një tarifë e volitshme. 24-vjeçari ka shënuar 10 gola dhe ka asistuar 7 duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane.

Sipas Fichajes Lucas Paqueta do të bashkohet me Newcastle United këtë verë. Lyon është në bisedime me klubin e Premier League për të përsëritur operacionin Bruno Guimaraes që u zhvillua në janar. Magpies duan të blejnë Paqueta dhe janë të gatshëm të shpenzojnë 50 milionë për shërbimet e tij.

AC Milan pësoi një humbje të madhe ekonomike kur shiti Paqueta për gjysmën e asaj që i pagoi Flamengos. Megjithatë, kuqezinjtë kanë një klauzolë shitjeje prej 15% për transferimin e ardhshëm të Paqueta-s. Nëse mesfushori sulmues kalon te Newcastle për 50 milionë, AC Milan do të marrë një shifër prej 7.5 milionësh./ORAinfo/

Komento: