
Lille, e ka bërë të qartë se Sven Botman nuk do t’i bashkohet AC Milan nëse klubi italian nuk rrit ndjeshëm ofertën e tyre këtë muaj.
AC Milan aktualisht është në negociata me Lille për dy lojtarë. Sven Botman është zgjedhur si partneri i Fikayo Tomorit për sezonin e ardhshëm ndërsa Renato Sanches është identifikuar si zëvendësuesi perfekt i Franck Kessie, përcjell ORAinfo.

Ndërsa blerja e Renato Sanches konsiderohet çështje ditësh, situata është shumë e ndryshme për qendërmbrojtësin holandez.
AC Milan ka arritur një marrëveshje për kushtet personale me 22-vjeçarin që nga janari, por ata e kanë pasur të vështirë të bindin Lille. Situata është bërë edhe më e ndërlikuar kohët e fundit. Newcastle United mbetet i interesuar për holandezin dhe po bën gjithçka për ta sjellë atë në Premier League.
Lille tashmë ka pranuar një ofertë prej 40 milionë euro nga Newcastle, por Botman vazhdon të favorizojë një lëvizje te AC Milan. Gazetari anglez Scott Wilson raporton se Lille i ka thënë Sven Botman se nuk do të bashkohet me AC Milan nëse italianët nuk e rrisin ndjeshëm ofertën e tyre këtë muaj. Sipas burimeve angleze, kuqezinjtë nuk janë të gatshëm të shkojnë përtej 25 milionë eurove plus shtesat për qendërmbrojtësin e talentuar.
Ndryshe nga Sanches që bëhet lojtar i lirë në një vit, Botman është i lidhur me Lille me kontratë deri në vitin 2025. Lille i ka dërguar një ultimatum Milanit. Klubi francez po nxiton të shesë mbrojtësin e tyre për të riinvestuar shpejt në tregun e transferimeve.
Pavarësisht ndryshimit të fundit të pronësisë, kuqezinjtë nuk duket se kanë aftësitë ekonomike për të shpenzuar lirisht në treg ose për të përmbushur ofertën e Newcastle./ORAinfo/