Koordinatori i Departamentit për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka folur edhe vlerën e koeficientit e cila për vitin e ardhshëm do të ngritët vetëm për pesë euro.
Nga 105 sa ka qenë këtë vit, në vitin 2024 do të jetë 110 euro.
Sipas tij, më këtë rritje nuk do të mund të arrihet efekti i dëmit që është shkaktuar nga rritja e çmimeve.
“Edhe më ketë rritje të koeficientit prej 5 euro, pra në 110 euro prapë nuk do të mundet as të arrihet efekti i dëmit që e ka shkaktuar rritja e përgjithshme e çmimeve. Për, më tepër kemi kategori shumë të ndjeshme sociale siç janë pensionistët, përfituesit e ndihmave sociale e kështu me radhë të cilëve nuk ju kanë përshtatur këto përftime me masën e rritjes së çmimeve, çka do të thotë që fuqia blerëse e këtyre kategorive është zvogëluar ndjeshëm dhe me këtë rast edhe është shtuar niveli apo me thënë më thjesht janë varfëruar krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë Mustafa për Front Online.
Projektligji për buxhetin e vitit 2024 është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.
Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.
Pesë institucionet me buxhetin më të madh në vitin 2024 pritet të jenë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 931.025.963 euro, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 265.445.995 euro, Ministria e Punëve të Brendshme me 216.523.467 euro, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 174.387.768 euro dhe Ministria e Mbrojtjes me 153.049.911 euro.
Sipas Qeverisë së Kosovës, buxheti do të rritet në disa sektorë vitin e ardhshëm, përfshirë: sigurinë, shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin./Front Online