Edukatorja në Ferizaj dënohet me 11 muaj burg dhe 6 mijë euro gjobë për keqtrajtim të fëmijëve në kopsht

17:27 | 15 Maj 2026

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurës M.A., duke e gjetur fajtore për keqtrajtim të fëmijëve në një kopsht në Ferizaj.

Sipas gjykatës, M.A. është dënuar për veprat penale “keqtrajtim apo braktisja e fëmijës” dhe “lëndimi i lehtë trupor”, të cilat i ka kryer gjatë kohës kur ushtronte detyrën e edukatores në një kopsht të fëmijëve.

Gjykata ka vendosur që të pandehurës t’i shqiptohet dënim prej 11 muajsh burgim, si dhe gjobë në vlerë prej 6,000 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Po ashtu, gjykata i ka shqiptuar masë plotësuese ndalimin e ushtrimit të profesionit të edukatores për një periudhë prej 5 vitesh.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në nëntor të vitit 2025 në një kopsht në Ferizaj, ku e pandehura dyshohet se ka keqtrajtuar dy fëmijë 2-vjeçarë duke përdorur forcë fizike, përfshirë shtyrje, tërheqje për flokë dhe veprime të tjera të dhunshme gjatë orarit të punës.

Në një rast tjetër, ajo dyshohet se ka shkaktuar edhe lëndime të lehta trupore ndaj një fëmije tjetër, të konfirmuara edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Komento: