
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Gazetën Express se sot rreth orës tetë të mëngjesit në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj një person ka sulmuar dy të tjerë më thikë.
Dy viktimat janë transportuar në emergjencën e Ferizajt pasi fillimisht kanë marrë trajtim në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore.
“Sot, rreth orës 07:50, kemi pranuar informatën se në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ka ndodhur një incident, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy persona me mjet të mprehtë (thikë), të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore”, ka thënë Veseli.
Ai ka treguar se i dyshuari për sulmin është larguar në drejtim të panjohur dhe se Policia po punon në identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
“I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.Për informacione shtesë, opinioni publik do të njoftohet përmes raportit vijues”, ka thënë Veseli.