“Femicidi është urgjencë kombëtare”, protestë kundër vrasjes së grave, protestuesit para Qeverisë kërkojnë drejtësi

13:14 | 25 Nëntor 2026

Në organizimin e Rrjetit të Grave të Kosovës, në Prishtinë po protestohet kundër vrasjes së grave.

Protesta ka nisur nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, me thirrjen që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kjo protestë po mbahet me në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke kërkuar drejtësi, mbrojtje dhe llogaridhënie institucionale për rastet e vrasjes së grave.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti”, protestuesit lëvizën drejt objektit Qeverisë, teksa mbajnë pankarta në duar dhe brohorasin thirrjet për drejtësi.

Kërkesat që janë paraqitur në këtë protestë janë: njohja e femicidit në Kodin Penal- pra të futet vrasja e grave si vepër e veçantë penale, të krijohet mekanizmi “Femicide Watch”- i cili mbledh dhe analizon të dhënat e vrasjes së grave, të ndahet buxhet i mjaftueshëm dhe i qëndrueshëm për shërbimet e mbrojtjes (të caktohen dy punonjës socialë shtesë në secilën nga 37 komunat dhe katër në Prishtinë), si dhe të zbatohen ligjet dhe të ketë institucione që mbajnë përgjegjësi.

Komento: