Gjithçka mjegull, Xavi flet për të ardhmen e Dembeles, e përmend edhe Mbappen

10:29 | 23 Maj 2022

Xavi Hernandez ka folur për të ardhmen e Ousmane Dembeles, e cila ka mbetur pezull tash e sa muaj.

Futbollistit francez do t’i skadojë kontrata me Barcelonën në fund të këtij sezoni dhe duket se ai është i vendosur për ta provuar një eksperiencë të re.

Gjiganti katalunas do të donte ta vazhdojë bashkëpunimin me ish-futbollistin e Borussia Dortmundit.

Mirëpo, futbollisti nuk po jep shenja për të mbetur në “Camp Nou” pas pesë vjetësh të kaluar aty.

“Të gjithë shkojnë aty ku duan, aq më parë kur kontratat e tyre skadojnë. Shikojeni Mbappen… Unë mund të them vetëm gjëra pozitive rreth Ousmane”, ka thënë trajneri spanjoll.

“Ne do të shohim nëse Dembele do të qëndrojë këtu. Po bëhen negociata, por gjithmonë do t’ia uroj atij më të mirën”, vazhdoi Xavi.

Ndërkohë, drejtori sportiv i Barcelonës, Mateu Alemany ka folur po ashtu për futbollistin, i cili lidhet me një kalim të mundshëm në Paris Saint-Germain.

“Ousmane dhe menaxherët e tij janë të vetmit që e dinë se çka do të bëjnë. Ne nuk kemi lajme qe 6-7 muaj. Unë e kam një opinion personal për krejt atë që po e bën Dembele, por për momentin nuk është e rëndësishme”, theksoi Alemany, përcjell Express.

Dembele ishte pranë largimit nga “Camp Nou” gjatë janarit, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Më pas, ai shfaqi formë solide dhe “Blaugrana” e shprehën interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit, por përfaqësuesi francez nuk është i kënaqur me ofertën që i është dhënë nga klubi.

Komento: