Grenell tregon se si propozoi me shaka Kosovës dhe Serbisë që Ujmani të quhet Liqeni Trump

19:55 | 10 Shtator 2020

Grenell ka komentuar edhe njëherë marrëveshjen e arritur në Uashington.

Emisari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjatë një interviste për një radio amerikane ka shpalosur detaje të negociatave që kulmuan me marrëveshjen e Uashingtonit, duke pretenduar se mospajtimet Kosovë-Serbi rreth Ujmanit kishin të bënin me emrin e Liqenit. Në një moment gjatë negociatave në mes të dy shteteve, Grenell tregoi se si në tallje kishte propozuar që Ujmani të quhej Liqeni Trump.

“Ky konflikt i perceptuar që në njëfarë mënyre është konflikt gjatë 21 viteve të kaluara… Kemi qenë të ngujuar për 21 vjet duke u munduar t’i bindim ata të pajtohen për fjalë dhe fraza”, ka thënë ai në fillim të intervistës.

Më vonë ai është munduar që audiencës amerikane këtë gjë t’ia ilustrojë me shembuj.

“Është një liqen atje, mbase nuk duhet ta përmend këtë pasi që dikush në Kosovë apo Serbi mund të zemërohet. Pjesa më e madhe e liqenit është në Kosovë, një pjesë e vogël është në Serbi. Teksa po mundoheshim ta gjejmë zgjidhjen se si t’i çojmë këto dy shtete drejt bashkëpunimit ekonomik, një prej gjërave që menduam është të gjejmë mënyra rreth liqenit, ka mënyra për krijimin e vendeve të punës përmes projekteve energjetike”, ka thënë ai, duke e vazhduar se ku, sipas mendimit të tij, kishin ngecur gjërat.

Komento: