Këshilla e Luca Tonit për Ibrahimovic

12:44 | 13 Prill 2022

Ish-sulmuesi i kombëtares së Italisë, Luca Toni ka dhënë një këshillë për sulmuesin e Milan, Zlatan Ibrahimovic.

Ibrahimovic padyshim do të shkojë si një nga sulmuesit më të mirë që ka parë futbolli. Ai vazhdon të ketë paraqitje solide për minutat që ka edhe në këtë moshë të shtyrë (40).

Megjithatë, suedezi së fundmi po vuan nga lëndime të shumta. I fundit lëndim është në gjurin e lojtarit.

Luca Toni ka komentuar situatën e Ibras dhe ka dhënë një këshillë për të. Pensionimin – gjithnjë në rast se suedezi s’ka më të mirën për të dhënë.

“Pas një historie sikur kjo e Ibras me Milan, shpresoj që të jetë suedezi ai i fundit që merr vendimin. Ai është kampion dhe meriton të zgjedhë çfarë të bëjë. Ai meriton ta përfundojë si protagonist, pasur parasysh çfarë ka përfaqësuar ndër vite”, ka thënë Toni, transmeton lajmi.

“Do t’i thosha të vazhdojë deri kur mundet. Nëse nuk mund ta bëjë këtë, nëse nuk mund të luajë në më të mirën e tij, atëherë është më mirë për të që të ndalojë”, shtoi italiani. “Do të ishim të mërzitur të shihnim një kampion sikur Ibra që nuk merr minutat e mjaftueshme, apo nuk është në detyrë. Një lojtar sikur ai duhet të luajë gjithmonë në maja, gjatë gjithë karrierës së tij”, ishin fjalët e ikonës italiane.

Ibrahimovic ka luajtur vetëm 937 minuta këtë sezon në Serie A, duke humbur 16 ndeshje si pasojë e lëndimeve. Ai është lojtari që fiton më së shumti te Milan, me 7 milionë euro pagë për vit.

Komento: