
Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Mamive: Do t’u mundësojmë të sigurojnë kujdes me respekt.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Mamive ka thënë se do të bëhen ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor që mamitë të kenë mundësi të sigurojnë kujdes me respekt.
Kujdesin e ofruar nga mamitë, për gratë dhe fëmijët e tyre, Kurti e ka quajtur investim në familje dhe komunitet që nxit rritjen e shëndetshme dhe mirëqenien për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, transmeton klankosova.tv.
“Do të bëjmë ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, që do t’u mundësojë mamive të sigurojnë kujdes me respekt, duke pasur parasysh se mamia luan rol thelbësor për shëndetin seksual dhe riprodhues, shëndetin e nënës dhe të neonatit, dhe shëndetin e adoleshentëve”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kryeministri Kurti tha se programet e Qeverisë së tij në lidhje me këtë do të bazohen në investime të drejtëpërdrejta në maternitete, ku ka nevojë për mbështetje me pajisje dhe ndërhyrje në infrastrukturë, si dhe në trajnimet e stafeve të mjekëve, infermierëve dhe mamive.
Ndër të tjera, Kurti i cilësoi mamitë si shpëtimtare duke thënë se ato shpëtojnë miliona jetë çdo vit, duke ofruar shërbime dhe këshillime për pacientët, dhe kanë rol të pazëvendësueshëm në shumë raste, e sidomos të sjelljes në jetë të foshnjave.