‘Kur pranvera ishte në Prishtinë’ – Prizreni me një rrëfim për muzikën që mbetet ndër breza

21:00 | 29 Korrik 2026
‘kur-pranvera-ishte-ne-prishtine’-–-prizreni-me-nje-rrefim-per-muziken-qe-mbetet-nder-breza

Në një rrëfim për rrugëtimin e tij muzikor, Denik Prizreni ka ndarë vizionin e tij për krijimtarinë, duke theksuar dëshirën për të prodhuar muzikë që do të ketë jetë të gjatë dhe do të kujtohet edhe nga gjeneratat e ardhshme.

Prizreni u shpreh se synimi i tij është të krijojë këngë që nuk mbeten vetëm hite të momentit, por shndërrohen në vepra që kalojnë ndër breza.

“Gjithçka që do të arrij të bëj është që të prodhoj muzikë e cila ka me mbet ndër breza”, është shprehur Prizreni, duke sjellë si shembull këngën e pavdekshme të Sabri Fejzullahut, “Kur pranvera ishte në Prishtinë”.

Sipas tij, këngë të tilla kanë një vlerë të veçantë sepse përmbajnë tekste të fuqishme, melodi, harmoni dhe emocione që vazhdojnë të prekin dëgjuesit edhe shumë vite pas krijimit.

“Edhe gjeneratat e reja sot e këndojnë ‘Kur pranvera ishte në Prishtinë’. Këngët e tilla janë të pasura në tekst, kanë melodi, harmoni dhe gjithçka që i bën të mbeten në kujtesën e njerëzve”, ka thënë ai.

Prizreni ka theksuar se muzika sezonale mund të ketë sukses dhe jehonë në periudha të caktuara, por preferenca e tij personale mbetet te këngët që kanë jetëgjatësi dhe cilësi artistike.

“Unë nuk jam për me gjyku askënd, por për shijen time jam prap te evergrini”, ka deklaruar ai.

Komento: