Kurti, Osmani e Rizvanolli flasin me shefin MCC-së

23:43 | 01 July 2022

SHBA i ka dalë në ndihmë Kosovës në fushën e energjisë.

Sot, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit ka miratuar marrëveshjen e Kompaktit me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky është investimi më i madh energjetik në Kosovë deri më sot.

Sipas tij, ky projekt do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin e drejtë të energjisë.

Kurti ka njoftuar gjithashtu se sot, së bashku me presidenten eVjosa Osmani dhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë zhvilluar një bisedë me zëvendësshefin ekzekutiv të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Mahmoud Bah.

“Shprehëm mirënjohjen tonë për vendimin e bordit për miratimin e marrëveshjes së Kompaktit me vlerë 236.7 milionë dollarë, prej të cilave 34.7 milionë janë kontribut i Qeverisë sonë. Si investimi më i madh deri më tani në historinë e vendit tonë në fushën e energjisë, kjo marrëveshje do të mundësojë vendosjen e themeleve të tranzicionit të drejtë të energjisë, nëpërmjet krijimit të kapaciteteve për konservimin me bateri të energjisë, zhvillimin profesional të fuqisë punëtore dhe përfshirjen më të madhe të grave në këtë sektor”, ka thënë Kurti.

Po ashtu, kryeministri ka theksuar se me këtë marrëveshje është vendosur një prej bashkëpunimeve më të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sepse jemi miq, partnerë, aleatë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Koorporata Sfida e Mileniumit (MCC) ka aprovuar sot marrëveshjen e Kompaktit prej 236,7 milionë dollarësh. Por, çka përfshin saktësisht kjo marrëveshje?

Nga Ministria e Ekonomisë kanë deklaruar se programi do të përfshijë tri projekte: Rezerva dhe arbitrazh të energjisë; Zhvillim të fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë dhe Projekti i Instituticionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Nga ky financim, 200 milionë dollarë do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

“Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Komento: