
Lëvizja Vetëvendosje e ka përmbyllur fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen nesër.
Simpatizantëve të Vetëvendosjes, iu drejtua kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili tha se këtë herë vera po vjen dy javë më herët. Ai përmendi edhe sipas tij, punët e mira që i ka bërë qeveria e udhëhequr prej tij mandatin e kaluar.
”Këtë herë, vera po vjen nja dy javë më herët, madje vera po vjen nesër. Dallon kjo verë, sepse nuk është verë që vjen veç një herë nga dera, sepse populli ynë me neve në qeveri ka verë e derë përherë.. mandati i kaluar ishte mandat në të cilin 80 mijë gra kanë marrë mbështetje financiare sepse kanë lindur fëmijë për herë të parë në jetë. Mandati i kaluar ishte edhe mandat i më shumë se katërfishimit të bursave, ngritjes së pensioneve.. 12 mijë gra mandatin e kaluar u punësuan si rezultat i masave direkte qeveritare..në mandatin që shkoi, janë regjistruar 60 mijë biznese të reja për 6 vjet. Gjatë mandatit të kaluar janë mbyllur 62 institucione ilegale të Serbisë në Kosovë, janë shkatërruar 23 laboratorë droge.. një aspekt tjetër që është lënë anash ka qenë në fokus tonin si qeveri, bujqësia.. tash subvencionet dhe grantet merren me meritë, prandaj edhe sipërfaqja e tokës së punuar është rritur për afro 50%.. por edhe shtimin e sovranitetit, ngritjen e dinjitetit për republikës e kemi bërë përmes sundimit të ligjit.. me sundim të ligjit, demokraci, liri për popull e zhvillim ekonomik. Pasaporta e Kosovës për 5 vjet është ngritur prej vendit 108 ku ka qenë, në vendin e 57 ku është sivjet. Kemi më shumë se dyfishim të shteteve ku lëvizim pa regjim të vizave”, tha Kurti.
Më tej Kurti vazhdoi me premtimet për katërvjeçarin e ardhshëm duke thënë se është mandat i investimeve në prodhimtari, Bankës Zhvillimore, vettingut, çmimit tavan, Superpunës për Gra, i digave, hekurudhave, stadiumeve e investimeve në ushtri.