Maldini i ofron dy kontrata Ibrahimoviçit, cilën do ta zgjedh sulmuesi?

13:34 | 25 Maj 2022

AC Milan fitoi titullin kampion në Seria A pas 11 vitesh pritje. Pas fitimit të Scudettos tashmë drejtuesit kuqezi do të fillojnë me përforcimin e skuadrës për sezonin e ri, teksa edhe rinovimet e lojtarëve aktualë nuk do të mbeten prapa.

I tillë është rasti i Zlatan Ibrahimovic, i cili pas trofeut të fituat me Milan e gjen të ardhmen e tij në udhëkryq, pasi duhet të marrë një vendim, të vazhdojë të luajë, apo duhet t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur.

Problemi është gjithmonë gjuri i tij që e mundon prej muajsh dhe që në gjysmën e dytë të sezonit nuk e lejonte të luante si dhe aq sa do të kishte dashur.

Siç raporton “Corriere della Sera”, gjithçka do të varen nga operacioni artroskopik të cilit Ibra do t’i nënshtrohet në ditët në vijim, ndoshta këtë javë, sepse ai dëshiron të dijë nëse është e mundur apo jo të zgjidhet përfundimisht problemi i gjurit.

Këtë sezon, sulmuesi i Milanit ka vuajtur shumë dhe për këtë arsye dëshiron të jetë i sigurt se është fizikisht mirë për të ecur përpara.

Prandaj, gjithçka do të varet nga ajo që del nga operacioni, prognoza dhe koha e rikuperimit. Përveç tij, në pritje janë edhe drejtuesit e Milan, pasi duan të dinë nëse suedezi do të vazhdojë të luajë apo jo.

Për këtë Maldini ka gati dy kontrata, nëse ai zgjedh të vazhdojë si futbollist, një kontratë e re vjetore me vlerë 2.5 milionë euro plus çmime është tashmë gati në sirtarin e tavolinës së Paolo Maldinit. Në rast të një lamtumire me futbollin, ai mund të mbetet ende te kuqezinjtë me një rol menaxherial.

Komento: