Paralajmërohen temperatura ekstreme, Instituti Hidrometeorologjik jep detaje

20:27 | 29 Nëntor 2026

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se vendi do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ftohta ajrore, me temperatura të ulëta, ngrica të shpeshta dhe mbajtje të shtresës së borës gjatë javës së ardhshme.

Sipas parashikimit për periudhën 30 nëntor – 4 dhjetor, temperaturat minimale do të zbresin deri në -13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale kryesisht do të lëvizin nga -4 deri në 3 gradë Celsius.

Mëngjeset e së martës, së mërkurës dhe së enjtes pritet të jenë veçanërisht të ftohta, me ngrica të theksuara në të gjitha rajonet e vendit. Ndërsa në zonat malore dhe kodrinore, shtresa e borës pritet të ruhet më gjatë, duke favorizuar edhe krijimin e akullit në sipërfaqe.

IHMK ka paralajmëruar se rreziku nga ngrirja e rrugëve do të jetë më i theksuar gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, veçanërisht në viset malore, në ura dhe rrugët me hije.

Të premten pritet një rritje e lehtë e temperaturave maksimale, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në 3 gradë Celsius, por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të eliminuar ngricat.

Instituti ka bërë të ditur se në fund të javës së parë të dhjetorit priten sërish reshje bore.

Për shkak të temperaturave të ulëta, IHMK ka rekomanduar kujdes të shtuar për qytetarët, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, duke këshilluar kufizimin e qëndrimit të gjatë në ambiente të hapura gjatë mëngjesit dhe natës, si dhe përdorimin e veshjeve të ngrohta.

Komento: