
Boksieri i njohur shqiptar, Robin Krasniqi, ka reaguar ashpër pas meçit të mbrëmshëm të boksierit shqiptar Nelson Hysa ndaj Agit Kabayelit, duke kritikuar mënyrën e dorëzimit të tij në ring, por edhe mënyrën se si disa boksierë shqiptarë po ndërtojnë karrierat e tyre në boksin profesionist.
Në një reagim të gjatë, Krasniqi ka thënë se kurrë më parë nuk është ndier kaq i fyer, duke e cilësuar atë që pa mbrëmë si epilog të një dukurie që, sipas tij, ka nisur ta njollosë rëndë boksin shqiptar.
Krasniqi ka theksuar se gjatë gjithë karrierës së tij është përmbajtur nga komentimi i dueleve të kolegëve, por se kësaj radhe e ndien si obligim ndaj tifozëve të boksit që të flasë.
“Por kësaj radhe nuk kam si të mos flas. E ndiej si obligim ndaj tifozëve të boksit të flas për një realitet dhe një dukuri që ka nisur ta njollosë rëndë boksin shqiptar”, ka shkruar Krasniqi.
Boksieri shqiptar ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si ndërtohen karrierat e disa boksierëve profesionistë, duke kritikuar përzgjedhjen e kundërshtarëve jocilësorë dhe duke shprehur dyshime për sinqeritetin e disa dueleve.
“Nëse një karrierë në boksin profesionist ndërtohet me kundërshtarë jocilësorë, madje me shumë pikëpyetje edhe sa i përket sinqeritetit të dueleve, një ditë do të vijë koha kur do të përballesh me një kundërshtar të vërtetë. E tani, çfarë?”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka thënë se ndien turp si sportist për atë që ka parë në meçin e Hysës ndaj Kabayelit, duke theksuar se humbja është pjesë e sportit, por se mënyra e dorëzimit të boksierit shqiptar, sipas tij, ishte e papranueshme.
Ai e ka cilësuar edhe më të rëndë atë që ndodhi për faktin se meçi u zhvillua më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit Kombëtar.
Reklamë
“Atëherë do t’ju ndodhë të gjithëve ajo që i ndodhi mbrëmë kolegut tonë Hysa në ndeshjen me Kabayel. Ajo që pashë unë mbrëmë, më vjen shumë keq ta komentoj. Ndiej turp si sportist, sepse ne mund të humbim, mund të mos boksojmë bukur, kundërshtari mund të na deklasojë. Çdo gjë mund të ndodhë në ring, por të dorëzohemi në atë mënyrë qesharake, pa u goditur fare, është diçka e rëndë, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi ndaj tifozëve dhe popullit tonë, e aq më tepër ndaj një dite të shenjtë si 28 Nëntori dhe ndaj flamurit tonë”, ka deklaruar Krasniqi.
Në fund të reagimit të tij, Krasniqi u ka bërë apel boksierëve të rinj shqiptarë që të mos ndërtojnë karriera joserioze, por t’i qasen boksit me dashuri, përkushtim dhe shpirt luftarak.
“Andaj, kam një apel për të gjithë të rinjtë: të marrin mësim nga kjo dukuri, të mos fillojnë apo të ndërtojnë karriera joserioze në boks, por t’i qasen këtij sporti fisnik vetëm e vetëm nëse e duan me të vërtetë dhe kanë zemër e shpirt luftarak”, ka përfunduar Krasniqi.