Pas Mane, Liverpool nxjerr në shitje edhe Salah, ky është çmimi

11:34 | 25 Qershor 2022

Sipas mediave britanike, Mohamed Salah mund të largohet nga Liverpool-i këtë verë. Por, duhet të mbërrijë oferta e duhur.

Pavarësisht se tashmë ata kanë humbur shërbimet e Sadio Mane-s, Liverpool mund të përfundojë duke shitur edhe Salah, raporton prestigjozja britanike “The Sun”.

30-vjeçari hynë në vitin e fundit të kontratës dhe ende nuk ka një marrëveshje për rinovimin e saj. Në këto kushte në verën e ardhshme egjiptiani do të largohej me kosto zero.

Për të mos e humbur me kosto zero, të kuqtë e kanë nxjerrë në merkato Salah-un për një shifër rreth 60 milionë paund.

Situata është e ngjashme me atë të Mane-s. Senegalezi kishte një vit kontratë dhe nuk dëshiroi të rinovonte. Ndaj dhe Liverpool pranoi ofertën prej 35 milionë paund të Bayern Munich.

Për të rinovuar, Salah kërkon 400 mijë paund në javë. Ndërkohë, Virgil van Dijk si lojtari më i paguar në klub përfiton 240 mijë paund në javë.

Situatën e egjiptianit nuk e ka lënë pas dore Real Madrid-i. Ai pëlqehet nga trajneri, Carlo Ancelotti dhe pritet një ofertë së shpejti.

Që kur iu bashkua Liverpool-it në vitin 2017, Salah ka fituar Premier League, Champions League, FA Cup dhe EFL Cup, si dhe Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube FIFA.

Sezonin e kaluar Salah realizoi 31 gola dhe dha 16 asistime për Liverpool-in në 51 paraqitje në të gjitha garat.

Komento: