
Gjithsej 175 zyrtarë policorë të Njësive për Reagim të Shpejtë (NJRSH) kanë përfunduar me sukses trajnimin profesional në modulin “Ballafaqimi me Turma”, duke u certifikuar pas përmbylljes së ciklit të pestë dhe të fundit të këtij programi.
Sipas njoftimit të policisë, trajnimi është organizuar në pesë grupe dhe është realizuar nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative, në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, transmeton IndeksOnline.
Programi është zhvilluar nën mbikëqyrjen e Divizionit të Trajnimit, në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të stafit udhëheqës të Departamentit dhe Divizionit të Njësive Speciale, instruktorë të NJSO-së, si dhe përfaqësues të stafit mbikëqyrës të Drejtorisë Rajonale të Policisë – Mitrovica Jug.
Sipas Policisë së Kosovës, ky program është pjesë e aktiviteteve të planifikuara për zhvillimin profesional të NJRSH-së, me synim standardizimin e përgatitjes dhe avancimin e kapaciteteve për përmbushjen sa më efikase të detyrave policore.
Përmes këtij trajnimi, Policia e Kosovës synon të forcojë kapacitetet profesionale dhe operative të zyrtarëve policorë, si dhe të rrisë nivelin e gatishmërisë së tyre në përballimin e situatave që kërkojnë menaxhim dhe ballafaqim me turma.